|
SHËRBËTOR I HYJIT GJON FRANË (JANEZ FRANČIŠEK) GNIDOVEC CM
Janez Gnidovec u lind me 29. shtator 1873, në fshatin Lipoveci i Madh, në famullinë Ajdovec ( sot ipeshkvia e Novo Mesto, Slloveni). Të nesërmen qe i pagëzuar në kishën e famullisë. Me 29 janar 1880 i vdiq nëna Jozefina. Po të njëjtin vit e përfundoi klasën e parë në shkollën e fshatit dhe më pas shkoi në Novo mesto ku në vitin 1892 e përfundoi shkollën fillore dhe gjimnazin. Me 11 shkurt të vitit1892 i vdiq edhe i ati Janez.
Të njëjtin vit u fut në seminarin e Lubjanës ku aty qëndroi deri në verën e vitit 1896. Me 23 korrik 1896 u shugurua për meshtar me detyrë të kapllanit në famullinë Idrija dhe Vipava (1896 – 1899).
Në vitin 1899 ipeshkvi i Lubjanës, imzot Anton Bonaventura Jeglič kërkoi një prift të përshtatshëm për udhëheqjen e Kolegjit të ipeshkvisë të Shën Stanisllavit në Shentvid mbi Lubjanë. Janez Gnidovec ishte njëri ndër kandidatët, i cili ishte lajmëruar për studime në Vjenë. Në universitetin e Vjenës brenda viteve 1899-1904 ai studioi filologjinë klasike, gjuhën sllovene dhe atë gjermane.
Pasi që u kthye, punoi si profesor praktikant në gjimnazin e Kranjit dhe më pas studimet i përfundoi me doktoraturë me 19 korrik 1904. Me 22 shtatorë 1905 u emërua si profesor dhe drejtor i parë i gjimnazit ipshkvnor të Kolegjit të Shën Stanisllavit në Shentvid mbi Lubjanë.
Ishte i shquar si profesor dhe drejtor kërkues, i vështirë dhe i përvujt, i kujdesshëm ndaj nxënësve dhe bashkëpunëtorëve. Në kohën e luftës së parë botërore në Kolegj ishte spitali improvizues për ushtarët e sëmurë dhe të lënduar. Kështu që Janez Gnidovec u përkujdesu edhe për ushtarë të sëmurë dhe të plagosur. Siç duket se puna kërkuese e Kolegjit dhe hallet e luftës e kanë molisur dhe lodhur, për këtë edhe vendosi që tani e tutje do t’i përkushtohet misioneve.
Me 7 dhjetor 1919 e braktisi Kolegjin e Shën Stanislavit dhe në shoqërimin e imzot Jeglič hyri në Kongregatën e Etërve Misionar, ku atëherë ishte me seli në Tabor, në Lubjanë. Pas noviciatit në Groblje, në Domžale, ku në vitin 1921 i shqiptoi kushtet e përjetshme dhe më njëherë pas kësaj u emërua si nëndrejtor i teologëve të Kongregatës Misionare. Gjithashtu ishte edhe rrëfystar në paraburgimin të Begunjes dhe misionar i popullit.
Me 5 mars 1923 u bë drejtor i noviciatit të Kongregatës Misionare në Groblje dhe njëkohësisht vazhdoi me misionin ndër popull.
Ndërkohë nunci apostolik e kërkonte një kandidat të përshtatshëm për ipeshkëv në Prizren dhe Shkup. Imzot Jeglič ia propozoi Janez Gnidovecin. Papa Pij XI me 29 tetor 1924 e emëroi për ipeshkëv të Shkup – Prizrenit. Ndërsa me 30 nëntor 1924 e pranoi shugurimin ipeshknor në Kishën e Zemrës së Krishtit në Tabor, në Lubjanë dhe me 8 dhjetor 1924 solemnisht u instalua në Prizren – Kosovë.
Menjëherë pas shugurimit iu përkushtua punës misionare. Më gëzim i vizitonte famullitë dhe besimtarët. Me 19 mars 1930 në Prizren (Kosovë) e bekoi ndërtesën e seminarit të vogël. Në vitin 1934 selinë ipeshkvnore e shpërnguli në Shkup (Maqedoni). Mes vitit 1928-1938 ndërtoi shumë kisha në këto qytete dhe fshatra: Pejë, Gjakovë, Prishtinë, Smaq, Ferizaj, Letnicë, Krvoseri, Zllakuçanë, Dušanovac, Gusi, Bistrenic, Peshter dhe Dunav.
Shumë iu përkushtua priftërinjve dhe u angazhua për bashkimin vëllazëror dhe formimin e tyre. Për këtë qëllim gjatë vitit 1925-1938 pati në ipeshkvinë e tij 9 sinode ipeshkvnore, ku sipas mundësisë ishin të mbledhur të gjithë priftërinjtë e ipeshkvisë; besimtarëve u ka dërguar 11 letra baritore; përgatiti tri kongrese eukaristike dhe dy kongrese mariane. Pesë herë shkoi në Romë dhe një herë në Chicago.
Në vitin 1933 u sëmur rëndë, por u shërua; nga kjo pati dhimbje koke të vazhdueshme. Me 10 janar 1939 shumë i sëmurë udhëtoi vetë në Lubjanë. Të nesërmen nga shtëpia provinciale të Etërve vinçencian, e çuan në spitalin e Leonishqes. Dhimbja trupore e tij u bashku me natën e errët të kërkimit të Hyjit dhe me përjetimin e vetmisë dhe ndjenjën e padenjësisë.
Vdiq të premten e parë me 3 shkurt 1939. Me 6 shkurt 1939 u varros mes bashkëvëllezërve vinçencian, në varrezat e Lubjanës në Zhale. Ndër të pranishmëve ishte edhe argjipeshkvi i Zagrebit Alojzi Stepinac, më vonë dëshmitar dhe martir, i shpallur ndër të lumtur në vitin 1998.
Instituti i kongregacionit për çështje të shenjtërve me 15 dhjetor 1977, argjipeshkvit të Lubjanës dr. Jozef Pogaçnik, i lejoi fillimin e procesit ipeshkvnor; argjipeshkvi Pogaçnik e lajmëroi fillimin e procesit me 8 shkurt 1978. Procesi përfundoi në vitin 1984; pastaj u dërguan dokumentacionet mbi virtytet e tij në Romë. Me 13 janar 2005 në Lubjanë filloi procesi ipeshkvnor rreth shërimit me ndërmjetësin e lutjes së Gnidovecit;
ky proces përfundoi me 24 korrik 2006; ndërsa dokumentet e bashkuara u dërguan në Kongregacionin e çështjeve për shenjtër me 7 gusht 2006. Perfekti i Kongregacionit për çështje të shenjtërve pas një viti, me 23 korrik 2007 e konfirmoi procedurën e rregullt dhe të drejt.
Veçoria e personalitetit të Janez Franë Gnidovecit është thjeshtësia e tij. Mundimet nuk ishin për të, të tepërta. Misionin e vet e shihte në apostullat, lutje dhe veprimtari pastorale; e motivonte zelli për shpirtra. Nga Shentividi deri në Shkup e shquante puna, lutja, modestia, shërbimi i Kishës dhe nëpër mes saj edhe shërbimi i popullit, për të cilët ishte i dërguar (motoja ipeshkvnore: Të gjithëve, gjithçka!).
Kjo është historia e baticave dhe zbaticave, sukseseve dhe mossukseseve, përkrahjeve dhe mosmarrëveshjeve. Fushën shpirtërore të historisë e mbizotëroi më shumë me jetë, qëndrueshmëri dhe besnikëri. Jeta ishte për të shërbimi i Hyjit. Në jetën e tij vlenin disa kritere: vullneti dhe besnikëria. Kjo mënyrë e të kuptuarit në thellësi përfshinë specifikën e detyrës të një mësuesi, pedagogu dhe bariu. E fortë është edhe përvoja e natës së errët e fesë dhe e vuajtjes;
përvojë, e cila e lidhë me shumë shenjtër të kishës.
Fjalët e shkruara të Gnidovecit janë të rralla. Më shumë janë të tillë që flasin mbi të. Ndër këta veçohet (dhe çdo gjë përfaqëson) dëshmia e shkruar nga nxënësja e tij nga Shkupi - Agnes Gonxhe Bojaxhiu, sot e lumtura nënë Tereza. Kështu e ka shkruar në një copë letër, të cilën me 22 gusht 1974 ua ka dhuruar dy rregulltarëve sllovene në Romë:
»Ipeshkvi ynë Gnidoveci ishte një shenjtë. Të gjithë e kemi thirrur me këtë emër. Ishte prift i vërtetë sipas zemrës së Jezu Krishtit, zemër butë dhe të përvujtë. Kur u nisa për misione, për mua e celebroi meshën, më kungoi, më bekoi dhe tha: 'Në misione po shkoni. Jepni Jezusit gjithçka që keni, vetëm për Të jetoni, qofshi vetëm e Tija, vetëm Atë duani, vetëm për Të flijohuni.
Le t’ju jetë Jezusi gjithçka në jetën tuaj’. Jam e bindur se ai lutet për mua dhe se e kam mbrojtës tek Jezusi. Nënë Tereza«.
Trad: m.Teresa Prekaj FdCh
|